Ernestina Adu është njëra nga këshilltaret e „Qendrës Gjermano-Ganeze për Punësim, Migracion dhe Riintegrim“(Ghanaisch-Deutsches Zentrum für Jobs, Migration und Reintegration, GGC) në Accra. Në intervistë ajo tregon për punën e saj dhe ndikimin që ushtron pandemia e koronës.
Zonja Adu, cila është detyra e GGC-së?
Qendra informon për shanset në tregun ganez të punës dhe ofron ndihmë riintegruese në aspektin social dhe ekonomik për migrantet dhe migrantët që kthehen. Ne duam t’u japim ndihmën e nevojshme njerëzve që kanë jetuar për njëfarë kohe jashtë dhe tashmë dëshirojnë të punojnë përsëri apo të hapin një biznes në Ganë. Përveç kësaj ne këshillojmë edhe të rinjtë lidhur me mundësitë e shkollimit profesional në Ganë.
Si e ka ndryshuar pandemia e koronës punën tuaj?
Kriza ndikon fuqishëm në punën tonë. Normalisht në qendrën tonë vijnë çdo ditë rreth 20 persona që kërkojnë këshillim. Për shkak të pandemisë së koronës qysh prej datës 15 mars ne përqendrohemi më shumë në këshillimin virtual, sepse përkohësisht qendra është e mbyllur. Të gjitha këshilltaret dhe të gjithë këshilltarët punojnë nga shtëpia. Ne këshillojmë në telefon, por shfrytëzojmë për shembull edhe skype-in ose mundësi të tjera të këtij lloji për të kontaktuar njerëzit.
Sa njerëz në ditë këshilloni ju për momentin?
Çdo ditë unë flas me gjashtë deri në dhjetë persona, të cilët i drejtohen për herë të parë qendrës sonë. Përveç këtyre janë edhe personat që janë ndërkaq në këshillim prej një kohe të gjatë. Gjithsej unë bëj çdo ditë afërsisht 20 këshillime. Qendra na ofron një kapacitet të mjaftueshëm datash, kështu që këshillimi online nga ana teknike funksionon mirë.