Khouloud Hosni ka një përfytyrim megjithatë qartë lidhur me të ardhmen e saj. Ajo dëshiron të hapë një aktivitet privat dhe të ketë restorantin e saj. „Kjo ide më erdhi ngaqë e kam me shumë pasion gatimin“, thotë 27 vjeçarja. Ajo ka përfunduar studimet e larta për bioteknologji farmaceutike, por nuk shikon asnjë perspektivë profesionale në këtë drejtim në Tunizi. Përkundrazi ajo beson që në fushën e turizmit, e cila përpara krizës së pandemisë mbulonte rreth 400.000 vende pune në Tunizi, edhe në të ardhmen do të ketë shanse për një perspektivë konkrete punësimi, megjithë kufizimet aktuale për shkak të pandemisë së koronës. Për këtë arsye ajo merr pjesë në një trajnim katërjavor në „Centre de Formation Touristique de Nabeul“. Në shkollën profesionale të qytetit bregdetar Nabeul, i cili ndodhet rreth 70 km larg nga kryeqyteti Tunis, përgatiten gra dhe burra për punën në gastronomi dhe hoteleri. „Falë trajnimit unë munda t’i zgjeroj njohuritë e mia“, thotë Hosni.
Trajnimet për kualifikim profesional në drejtimet kuzhinë, shërbim dhomash dhe restorant e bar i ofron „Shoqata Gjermane për Bashkëpunim Ndërkombëtar, ShPK“
(Deutsche Gesellschaft für Internationale Zusammenarbeit, GIZ) GmbH. Ato janë pjesë e programit „Perspektiva atdheu“ që ofrohet nga „Ministria Federale për Bashkëpunim Ndërkombëtar dhe Zhvillim“ (Bundesministerium für wirtschaftliche Zusammenarbeit und Entwicklung, BMZ). Kurset u drejtohen si njerëzve të cilët kthehen nga Gjermania në Tunizi dhe përfitojnë përkrahje në kuadrin e perspektivës profesionale, po ashtu edhe tunezianeve dhe tunezianëve që jetojnë këtu në Tunizi dhe janë duke kërkuar shanse të reja në tregun kombëtar të punës. „Qendra Gjermano-Tuneziane për Punësim, Migracion dhe Karrierë" (Zentrum für Jobs, Migration und Reintegration) (shkurt CTA), e cila drejtohet nga GIZ-i me porosi të BMZ-së i këshillon të dy grupimet e mësipërme lidhur me mundësitë e tyre profesionale.