Skip to main content
Menyja

„Në kohë krizash njerëzit kthehen në adheun e tyre“

Sahar Aly drejton qendrën këshilluese në Egjipt.

Sahar Aly drejton “Qendrën e Re Gjermano-Egjiptiane për Punësim, Migracion dhe Riintegrim” (Ägyptisch-Deutsche Zentrum für Jobs, Migration und Reintegration, EGC), e cila u hap në fillim të nëntorit në Kajro. Gjatë bisedës ajo tregon për ofertat e „Qendrës“ – dhe për faktin se pse ajo pret që „Qendra“ të zgjojë interes.

Zonja Aly, cila është konkretisht detyra e „Qendrës“?

Ne i aftësojmë njerëzit që të gjejnë mundësi më të mira punësimi dhe në këtë mënyrë të synojnë të ardhura të përshtatshme dhe të qëndrueshme. Këto mundësi përfshijnë një vend pune të qëndrueshëm ose hapjen e një biznesi privat. Së dyti ne u ndihmojmë egjiptianeve dhe egjiptianëve që kthehen nga Gjermania ose nga vendet e treta që të etablohen serish këtu nga ana sociale dhe ekonomike. Së fundi ne ofrojmë këshillim edhe lidhur me temën e emigracionit legal dhe të rreziqeve që sjell emigracioni jo legal. Grupi kryesor që synojmë të arrijmë janë të rinjtë, por puna jonë nuk kufizohet vetëm tek ata.

Çfarë ndihmash ofroni ju?
Oferta jonë ka një spektër të gjerë: Ne organizojmë trajnime të ndryshme dhe kualifikime në grupe. Këto përfshijnë nga përkrahja e aftësisë për të qenë në marrëdhënie pune, kurset për orientim profesional, këshillime lidhur me aplikimet për punë dhe deri tek kualifikimet që përqendrohen tek kompetenca sociale ose tek hapja e një biznesi privat. Por ne ofrojmë këshillim individual për njerëzit, në mënyrë që të nxjerrim në pah shanset dhe mundësitë e tyre. Bisedat tona janë të hapura lidhur me rezultatet – ne përpiqemi ta bëjmë këshillimin të tillë që secili të gjejë rrugën më të mirë të mundshme për veten.

Është dashur t’i ndryshoni planet tuaja për shkak të pandemisë së koronës?
Për nga përmbajtja jo shumë. Oferta jonë pothuajse nuk ka ndryshuar fare. Për nga ana organizative kemi bërë disa ndryshime dhe përpara se të hapnim përsëri përpunuam dhe një koncept higjiene, i cili u përgjigjet njëkohësisht kërkesave të GIZ-it dhe rregullave të palës egjiptiane. Në kualifikimet mund të marrin pjesë vetëm 10 persona në vend të 20 personave që ishin të planifikuar më parë. Të gjithëve u jepet nga një maskë para se të hyjnë në godinë si dhe një laps vetëm për përdorim vetjak. Kudo kemi vendosur shishe me dezinfektant, kurse në dhomat ku ofrohet këshillim personal kemi bërë ndarjen me xham plastik. Përveç kësaj bëjmë matjen e temperaturës me një termometër që nuk ka nevojë për kontakt për të gjithë vizitoret dhe vizitorët.

Kjo do të thotë që ju mund të kualifikoni më pak njerëz se sa ishin planifikuar?
Kjo është e drejtë, numri i pjesëmarrëseve dhe i pjesëmarrësve në kualifikim është zvogëluar. Dhe nga ana tjetër ne nuk ofrojmë aktivitete në qytete të tjera të vendit, siç ishte parashikuar më parë. Këtë mangësi përpiqemi ta kompensojmë përmes ofertave dixhitale, të cilat jemi duke i parapërgatitur. Ne u tregojmë njerëzve fillimisht sa herë që është e mundur se si funksionon skype dhe programe të tilla të ngjashme, si mund të hapet një account dhe gjëra të tilla. Shumë nga personat që këshillojmë nuk kanë fare njohuri për hapat e mësipërm. Në këtë mënyrë ne krijojmë bazën për oferta dixhitale dhe kemi mundësi që t’i ofrojmë kurset tona edhe online.

Në ç’drejtim prisni më shumë kërkesa? Kush do ta gjejë rrugën për tek ju?
Nga zonat qytetare ne presim më shumë gra, nga zonat fshatare më shumë burra. Nëse bëhet fjalë për emigracionin, atëherë ka shumë të ngjarë që të jenë meshkujt ata që do të kërkojnë këshillim tek ne. Natyrisht as ne nuk e dimë me siguri. Ne do të shohim si do të zhvillohet kërkesa dhe pastaj në përputhje me të do të përshtasim ofertat tona. Unë mund ta imagjinoj që interesi do të jetë më i madh nga ç’e presim - edhe për shkak të pandemisë së koronës – sepse në mënyrë të detyrueshme shumë njerëz kërkojnë një perspektivë të re.

Si është situata me personat e kthyer?
Edhe në këtë drejtim ne presim më shumë kërkesa. Në kohë krize njerëzit kthehen në atdheun e tyre. Tema të tilla si familja dhe lidhjet shoqërore marrin papritur më shumë rëndësi. 

Botuar më: 10/2020

Bisedat tona janë të hapura lidhur me rezultatet – ne përpiqemi ta bëjmë këshillimin të tillë që secili të gjejë rrugën më të mirë të mundshme për veten.
Sahar Aly