Emri im është Frank, unë vij nga Nigeria. Pasi mbarova shkollën një burrë i premtoi nënës sime që të më çonte në Europë mua dhe motrën time. Ai do të na gjente punë atje dhe jeta e familjes sonë do të përmirësohej. Por udhëtimi gjoja për në Europë kaloi nëpër shkretëtirë për të përfunduar në Libi. Kishim rënë pre e kontrabandistëve të qenieve njerëzore.
Në Libi na rrëmbyen dhe na ndanë nga njëri-tjetri. Gjashtë muaj me radhë kriminelët u përpoqën t’i bëjnë presion prindërve tanë për të paguar duke na mbajtur peng. Pasi e panë që ata nuk paguan, fillimisht më lanë mua të lirë. Unë vazhdova të rri edhe për dy vite të tjerë në Libi. Në Tripoli e nxirrja bukën e gojës duke larë makina. Por kjo nuk ishte jeta që doja të bëja. Një shok më tregoi që qeveria nigeriane u paguante fluturimin për t’u kthyer në atdhe njerëzve si puna ime. Kështu ndodhi që u ktheva në Nigeri.