Stefan Grünbaum është njëri nga plot 20 këshilltarët për riintegrim të GIZ-it, të cilët janë të shpërndarë pothuajse nëpër të gjithë landet e Republikës Federale Gjermane. Ata punojnë si një urë lidhëse ndërmjet Qendrave Këshilluese për Kthim në Gjermani dhe atyre në vendet e prejardhjes.
Zoti Grünbaum, si mund të bëhesh një këshilltar për riintegrim?
Unë me profesion jam pylltar i diplomuar, por për 15 vjet me radhë kam punuar për organizata të ndryshme për ndihmë emergjente dhe tranzitore në Afrikë dhe Afganistan. Ndër të tjera kam jetuar me familjen time edhe në Ginea dhe Senegal. Qysh prej pranverës së vitit 2018 jam i punësuar nga GIZ-i si këshilltar për riintegrim në Qendrën Kryesore Këshilluese për Kthim të Refugjatëve në Bavarinë Veriore (Zentrale Rückkehrberatung für Flüchtlinge in Nordbayern).
Si i përkrahni ju njerëzit konkretisht?
Unë orientohem para së gjithash nga ofertat e GIZ-it në vendet e prejardhjes. Informacionet e Qendrave Këshilluese – siç janë ofertat për punësim, ndihmat për të aplikuar për një vend pune, hapja e një biznesi privat, këshillimi psikosocial ose të kërkuarit e një banese – unë i përcjell më tej tek këshillueset dhe këshilluesit për kthim. Në disa vende ne vëmë në dispozicion përkohësisht mundësi strehimi deri sa të gjendet një banesë. Si këshilltar i specializuar për Irakun unë u përgjigjem pyetjeve që vijnë edhe nga landet e tjera të Republikës, kur është fjala për Irakun.