Skip to main content
Menyja

Fillim i ri duke sjellë një zeje të mësuar me vete

Më shumë praktikë nuk është e mundur: Pamje në punishten e parukerisë.

„Unë gjithmonë kam dashur të bëhem parukier”, thotë Sivan. Qysh kur isha në Irak pata punuar në një sallon parukerie për meshkuj. Tani ai përkulet mbi një kokë plastike me tipare femre dhe me flokë të gjatë. Flokët janë akoma bjondë, ndërkohë që Sivan i ngjyros me kujdes ato tufë pas tufe në ngjyrë të errët.  Ai është qysh prej njëmbëdhjetë muajsh në Gjermani dhe këtu ai mëson edhe një herë gjëra krejt të ndryshme lidhur me profesionin e parukierit. Ndërkohë që ëndërron të hapë një sallon të madh të vetin në Irak – për meshkuj dhe femra.

Edhe 33-vjeçarja Karina ka të njëjtin qëllim, të hapë një sallon të vetin. Ajo rregullon ndërkohë flokët e errët dhe të gjatë të një pjesëmarrëseje tjetër në kurs dhe dëgjon njëkohësisht nga Hanna Fudala këshilla se si t’i presë flokët në mënyrë që ato të kenë shkallëzim. Fudala është mjeshtre e parukerisë dhe drejton trajnimin që ofrohet nga Oda e Zejtarisë Duisburg. Salloni i parukerisë në, të cilin momentalisht bëjnë ngjyrosje flokësh dhe punojnë me gërshërë e tharëse flokësh  tetë të rinj e të reja, ndodhet në katin e dytë të një punishteje për kualifikim profesional në Dinslaken. Një kat më poshtë janë duke punuar në kuzhinë gra nga Nigeria së bashku me burra nga Kosova.

Bojatisja dhe veshja e mureve me letër: Edhe ky kurs është shumë i kërkuar.

,Arsimim profesional me certifikatë

Pjesa më e madhe e pjesëmarrëseve dhe pjesëmarrësve në kurse e marrin me mend ose e dinë ndërkohë: në Gjermani ata nuk kanë një perspektivë afatgjatë, kanë një leje të përkohshme qëndrimi ose u është refuzuar kërkesa për azil. Ata duhet të përballen me pyetjen: çfarë do të bëhet me mua kur të kthehem përsëri në atdhe? Pikërisht këtu aktivizohet programi „Perspektiva atdheu“, i cili ofrohet nga „Ministria Federale për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim“ (Bundesministerium für wirtschaftliche Zusammenarbeit und Entwicklung, BMZ). Personat që kthehen nuk lihen vetëm në Irak, Nigeri apo Kosovë pa një ndihmë dhe një plan realist për të jetuar atje. Ata sjellin me vete edhe njohuri, të cilat u mundësojnë atyre një fillim të ri në vendet përkatëse. Në këto njohuri bën pjesë edhe një certifikatë: kush përfundon një kualifikim profesional katërmujor në të cilin është udhëhequr nga një mjeshtër ose mjeshtre në profesion, ka të drejtë ta quajë veten „ndihmëse“ ose „ndihmës“ në sektorin përkatës.

Kush mund të lyejë me bojë dhe të veshë muret me letër profesionalisht ka shanse të mira për punësim në vende si Nigeria.

Burrat e rinj nga Nigeria, të cilët mësojnë në punishten për kualifikim të katit përdhes si të lyejnë me bojëra të ndryshme dhe në mënyrë precize një mur me suva të ashpër, dëshirojnë të bëhen ndihmës bojaxhi dhe ndihmës tapicer. Para së gjithash tapicierët kërkohen shumë. “Sepse shtresa e lartë e shoqërisë në Nigeri i lejon vetes luksin që të ketë mure me tapiceri”, shpjegon Manjola Kola, e cila e drejton këtë projekt pranë “Odës së Zejtarisë”. Kush mund të veshë me precizion muret me letër, e ka më të lehtë që të përfitojë porosi të leverdishme në Nigeri.

„Të bësh diçka që ka kuptim“

Në punishten për kualifikim të “Odës së Zejtarisë” në Dyisburg (Duisburg) qysh prej vitit 2018 kanë përfunduar kualifikimin më shumë se 250 migrante dhe migrantë si dhe refugjatë që nuk kanë pasur një perspektivë për të qëndruar. “Oda e Zejtarisë” është partnere e “Shoqatës Gjermane për Bashkëpunim Ndërkombëtar” (Deutsche Gesellschaft für Internationale Zusammenarbeit, GIZ), e cila vë në jetë programin “Perspektiva atdheu”.

Të ushtrosh dorën në një objekt të gjallë – ose me manekinë.

“Një pjesë e madhe e asaj çka bëjmë ne këtu ka të bëjë me punën sociale”, thotë Manjola Kola. “Për shumë refugjatë është një ndihmë e madhe, që kanë mundësinë të dalin nga strehimoret dhe të bëjnë diçka që ka kuptim.” Këtu dita e tyre ka një strukturë të qartë: nga ora 9.00 deri në orën 15.00 janë në kurs – përfshirë këtu edhe pushimin e drekës në mensën që ndodhet në të njëjtën godinë dhe ku pjesëmarrëset dhe pjesëmarrësit me kombësi të ndryshme gatuajnë me radhë. “Në këtë mënyrë ata mund të ndërmjetësojnë edhe diçka nga kultura dhe mënyra e tyre e jetesës”, vijon Kola. Në këtë ditë vjeshte sot do të ketë meze nga Nigeria: pite të fërguara me pak vaj në tavë, të cilave u hidhet përsipër një përzierje sallate me domate dhe djathë. Grupi prej 30 pjesëmarrësish ulet për të ngrënë drekë bashkë në oborr.

Për të bërë kualifikimin profesional shumë pjesëmarrëse dhe pjesëmarrës e marrin më sy të vijnë edhe nga larg. Nuk është çudi, thotë Kola, sepse projekti u ofron atyre një shans të vërtetë: “ Këtu ne kemi njerëz të rinj, të cilët e shtyjnë nga një leje qëndrimi në tjetrën dhe nuk mund të bëjnë asgjë – nuk mund të hyjnë në punë, nuk mund të krijojnë familje. Shumë prej tyre dikur e kuptojnë: këtu mësoj diçka, këtu mund të ndërtoj të ardhmen.” Jo në Gjermani, por gjithsesi në vendin prej nga vijnë – me një perspektivë të re.

Botuar më: 10/2020

Njerëzit nuk duhet të lihen që të kthehen pa ndihmë dhe pa një plan realist në vendet prej nga vijnë. Ata duhet të sjellin me vete njohuri, të cilat u mundësojnë vërtet një fillim të ri.

Më shumë Përvojat