Telefonat bien pa pushim, por nuk duket asnjë gjurmë stresi: Selar është këshilltare në “Qendrën Gjermane për Punësim, Emigracion dhe Riintegracion” (Deutsches Zentrum für Jobs, Migration und Reintegration) në qytetin Erbil në zonën kurde të Irakut (GMAC) dhe gëzohet për çdo telefonatë. Megjithëse për shkak të kufizimeve të shkaktuara nga pandemia e koronës nuk është i mundur kontakti personal, Selar së bashku me koleget dhe kolegët e saj vetëkuptohet që vazhdojnë t’i këshillojnë njerëzit. Ata ndihmojnë në ndërmjetësimin e një punësimi dhe gjatë hapjes së një biznesi privat, por ndërmjetësojnë gjithashtu edhe në lidhje me ndihmën psikosociale.
„Për mua si këshilltare është shumë e rëndësishme, që njeriu që kam përballë ta ketë të qartë: Unë jam gjithmonë e gatshme t’i jap këshilla dhe ta përkrah gjatë riintegrimit. Nuk ka rëndësi nëse bëhet fjalë për një pyetje të karakterit ligjor, për një këshillë biznesi apo për një çështje personale“, thotë Selar. Këshilltarja e do punën që bën: „Gëzohem shumë kur shoh se si vihen në jetë praktikisht vërejtjet tona lidhur me hapjen e një biznesi privat. Ose kur personat e kthyer më tregojnë pak kohë pas këshillimit, që jeta e tyre ka marrë për mbarë.“