Skip to main content
Menyja

Qëllimi im: t’u jap një shans të rinjve

Qëllimi im: t’u jap një shans të rinjve

Unë e kam emrin Tarik. Jam 32 vjeç dhe vij nga Kasablanka. Atje kam studiuar për projektim dhe arkitekturë bashkëkohore. Pasi përfundova studimet pothuajse nuk punova fare dhe e kisha të vështirë të përballoja shpenzimet për të jetuar. Kështu që në vitin 2015 vendosa të shkoj në Europë.

Udhëtova për në Gjermani. Atje bëra kurse të ndryshme për gjermanisht dhe dizajnim grafik. E pata të qartë që vendi im ishte në Marok. Në fund të vitit 2018 vendosa të kthehem dhe të guxoj një fillim të ri. Kisha edhe një ide: doja të vetëpunësohesha si dizajner për logot.

Përkrahje për pajisjet teknike

Kur u ktheva në Marok mësova për programin „Perspektiva Atdheu“, i cili përkrah gjatë fillimit personat që kthehen në atdheun e tyre.  Iu drejtova grupit këshillues të punës në „Qendrën Gjermano-Marokene të Informacionit për Migracion dhe Përshtatje Profesionale“ (Deutsch-Marokkanisches Informationszentrum für Migration und berufliche Eingliederung) dhe i parashtrova planet e mia.

Grupi i punës më dha guxim dhe më përkrahu veç të tjerash edhe lidhur me pajisjet teknike. Përveç kësaj  këshilltaret dhe këshilltarët më ndihmuan të bëj reklamë në një platformë online. Në këtë mënyrë munda të pozicionohem mirë në treg dhe të kontaktoja shumë klientë. Qysh në fillim mora porosi nga vende të ndryshme, para së gjithash nga SHBA-ja dhe Europa.

Shoqërimi gjatë krizës

Por pandemia e koronës e rëndon shumë biznesin tim. Marr shumë më pak porosi se më parë. Për fat GIZ-i së bashku me partnerët organizatorë më ka përkrahur që në njëfarë mënyre t’ia dal mbanë gjatë kohës së krizës. Momentalisht kam marrë përsëri disa porosi të reja.

I uroj vetes që biznesi im të fuqizohet përsëri në të ardhmen. Qëllimi im është që të punësoj bashkëpunëtore dhe bashkëpunëtorë si dhe të kualifikoj të rinj. Në këtë mënyrë dëshiroj të krijoj vende të reja pune në Marok. Njerëzve duhet t’u jepet një shans, ashtu siç e pata edhe unë.

Botuar më: 12/2020

GIZ-i së bashku me partnerët organizatorë më ka përkrahur që në njëfarë mënyre t’ia dal mbanë gjatë kohës së krizës.
Tarik

Më shumë Përvojat