Skip to main content
Menyja

Fillim i ri në kopshtarinë time bio

Ky link hap një video në YouTube. Ju lutem keni parasysh rregullat e privatësisë në fuqi.

Konfirmo

Fillim i ri në kopshtarinë time bio

Emri im është Abdellatif. Unë jetoj në Tagzirt, një fshat i vogël në afërsi të Beni Mellal, në Marokun Qendror. Fshati im ka gjithçka që është e nevojshme për një kopshtari të suksesshme: shumë tokë për të mbjellë dhe kushte të mira klimaterike. Mua më kanë mahnitur gjithmonë pemët dhe bimët. Për këtë arsye unë fillova një aktivitet privat në këtë fushë duke bërë kështu realitet ëndrrën time. Para kësaj kam jetuar 10 vjet jashtë atdheut dhe në Maroko kisha punuar më parë 8 vjet me radhë në punë të ndryshme të rastit.

Përkrahje për të ndërtuar firmën time mora nga “Qendra Informative Gjermano-marokene për Emigracion dhe Përfshirje Profesionale” (Deutsch-Marokkanisches Informationszentrum für die Migration und berufliche Eingliederung, EIMA). Kontakti me këtë qendër u ndërmjetësua nga Agjencia Marokene e Punësimit ANAPEC. Me përkrahjen e grupit të punës së EMA-s ideja ime u kthye në një projekt konkret. Unë zotëroja ndërkohë një copë tokë, por kisha nevojë për këshillim lidhur me krijimin e firmës dhe përpilimin e një plani biznesi.

Personi që ka hapur një biznes gjatë një vizite tek EIMA.

Qendra më mundësoi pjesëmarrjen nëpër trajnime në kuadrin e projektit „Green Jobs“, projekt që përkrah të rinjtë nëpër fshatra. Nëpër trajnime përfitova dijen e nevojshme për të hapur firmën time dhe për ta drejtuar atë në mënyrë të qëndrueshme. Përveç kësaj EIMA më ndërmjetësoi edhe një përkrahje financiare nga organizata CEFA.

Plane për të hapur një bujtinë

Në kopshtarinë time unë kam vendosur të bëj një kultivim ekskluzivisht biologjik. Këtu në Marok kultivimi bio është relativisht i ri dhe nuk përkrahet aq shumë sa në vendet e tjera. Firma ime do të kishte më shumë fitim, nëse do të përdorja pesticide dhe plehra kimike. Por unë e ndjej si detyrim karshi brezit të ardhshëm, që të jap kontributin tim për një botë më të qëndrueshme.  

Nuk e kisha përfytyruar kurrë më parë, që sot do të kisha kopshtarinë time bio. Si shumë moshatarë të brezit tim, kur isha i ri emigrova në Europë, sepse kërkoja mundësi më të mira. Por tashmë këtë gjë e kam lënë pas. Tani shikoj përpara dhe ndërkohë kam plane të tjera: Dëshiroj të hap një pension dhe të ofroj ushqim të shëndetshëm. Njerëzit duhet të ndjehen mirë dhe të vijnë me dëshirë në kopshtarinë time, madje edhe për të kaluar pushimet për disa ditë. Përveç kësaj dëshiroj të bëj edhe oferta me karakter pedagogjik për fëmijët dhe të rinjtë.

Përkrahje gjatë pandemisë së koronës

Kriza e koronës më ka prekur rëndë mua dhe firmën time. Për fat të keq grupi im i punës është zvogëluar disi për shkak të situatës ekonomike. Ndikimet e pandemisë ndjehen gjithandej. Për këtë arsye EIMA më ka ndërmjetësuar tek Iniciativa Kombëtare për Zhvillim Njerëzor” (Nationale Initiative für menschliche Entwicklung, INDH), e cila më përkrah në këtë kohë.

Abdellatif në kopshtarinë e tij

Unë vazhdoj të kaloj shumë kohë në kopshtarinë time. Aty më kujtohet fëmijëria – babai im më mësoi shumë herët bazat e bujqësisë dhe të kopshtarisë. Qysh nga ajo kohë kam një marrëdhënie të veçantë me bimët. Unë flas shumë me to. Kopshtaria ime është një botë e vogël e gjelbër. Uroj që të vazhdoj ta shikoj se si kjo botë rritet.

Botuar më: 05/2021 

Unë kisha në zotërim ndërkohë një copë tokë, por kisha nevojë për këshillim lidhur me krijimin e firmës dhe përpilimin e planit të biznesit.
Abdellatif

Më shumë Përvojat