Skip to main content
Menyja

Të gjesh punë në Kosovë: përgjigje për pyetjet që bëhen shpesh

DIMAK-u ju informon dhe ju këshillon si të integroheni përsëri profesionalisht në Kosovë.

Të gjesh punë në Kosovë: përgjigje për pyetjet që bëhen shpesh

Ju dëshironi të ktheheni në Kosovë? Kërkoni punë apo dëshironi të punësoheni në një fushë tjetër? Ose mbase për momentin jeni duke kaluar një situatë të vështirë në jetë? Në raste të tilla ne, punonjësit e “Qendrës Gjermane të Informacionit për Emigracion, Aftësim Profesional dhe Karrierë” (Deutschen Informationszentrum für Migration, Ausbildung und Karriere, DIMAK) ju ndihmojmë me dëshirë. Këtu mund të gjeni informacionet më të rëndësishme lidhur me ofertat tona.

Çfarë është DIMAK-u?

Shkurtimi DIMAK nënkupton “Qendrën Gjermane të Informacionit për Emigracion, Aftësim Profesional dhe Karrierë” (Deutsches Informationszentrum für Migration, Ausbildung und Karriere). Qysh prej vitit 2015 ne përkrahim personat që jetojnë në Kosovë, janë kthyer ose dëshirojnë të kthehen atje.

Ne ju këshillojmë me kënaqësi në përpjekjet tuaja për të gjetur një punë të re. Ne ju ndihmojmë që të mëkëmbeni përsëri në Kosovë. Ose ju përkrahim në situata të vështira të jetës.

Ne kemi bashkëpunim të ngushtë me partnerë lokalë dhe të huaj, me qëllim që t’ju ndihmojmë, nëse vini tek ne. Ndër partnerët tanë është dhe “Agjencia e Punësimit e Republikës së Kosovës” (APRK). Ajo këshillon njerëzit që kërkojnë punë dhe u ndihmon atyre të punësohen.

Gjithashtu ne bashkëpunojmë edhe me “Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike” në Kosovë. Në këtë mënyrë ne i përkrahim personat që kthehen qysh nga momenti i mbërritjes deri në riintegrimin e tyre të plotë në vend.

Cilat janë ofertat?

Punësimi:
Ne ju informojmë dhe ju këshillojmë me dëshirë se si të gjeni një punë në Kosovë. Nëpër trajnime për shembull, ju mësoni si të hartoni një CV dhe si të përgatiteni në rastin e një interviste për aplikim.

Hapja e një biznesi privat:
Nëse ju dëshironi të hapni një biznes privat, ne ju përkrahim në zhvillimin e një plan-biznesi. Nëpër trajnime ju mund të mësoni diçka lidhur me analizën e tregut, financat dhe kontabilitetin.

Në kuadrin e përkrahjes ne ju ndërmjetësojmë nganjëherë dhe tek partnerët tanë. Partnerët tanë ju përkrahin në përpjekjet për të gjetur punë ose në hapjen e një biznesi privat.

Përkrahja për gratë dhe vajzat:
Gratë dhe vajzat i përkrahim në mënyrë të veçantë. Ne ju këshillojmë me dëshirë dhe ofrojmë gjithashtu kualifikime profesionale me synime të caktuara për ju.

Këshillimi psikosocial:
Ne ofrojmë përkrahje edhe për t’u përshtatur në jetën e përditshme. Për shembull nëse ju keni nevojë për të folur me dikë. Kjo ofertë quhet përkrahje psikosociale. Ne i këshillojmë të gjithë njerëzit që kanë nevojë për këtë ofertë. Gjinia dhe mosha nuk luajnë asnjë rol. Punonjëset tona dhe punonjësit tanë, që kanë një kualifikim special, mund të flasin në mirëbesim me ju për problemet që keni.

Kush mund t’i shfrytëzojë ofertat?
Ne ju këshillojmë dhe ju përkrahim me dëshirë, nëse jeni kthyer nga jashtë në Kosovë. Por ne ju ndihmojmë edhe nëse nuk jeni larguar kurrë nga Kosova. Gjithashtu ne ju përkrahim edhe nëse ndodheni jashtë dhe jeni duke u menduar që të ktheheni në Kosovë.

Sa kushtojnë ofertat?
Ofertat tona janë falas.  

Ku mund t’i gjej informacionet lidhur me ofertat?
Ne informojmë nëpër Website-t lidhur me ofertat tona konkrete. Atje mund të informoheni dhe si të na kontaktoni.

Si mund të më përkrahë DIMAK-u direkt pas kthimit tim në Kosovë?
Nëse jeni kthyer në Kosovë, ne ju ofrojmë:

  • informacione lidhur me kualifikimet profesionale, punësimet dhe profesionet në Kosovë
  • trajnime, të cilat ju ndihmojnë të gjeni punë dhe të përshtateni përsëri në Kosovë
  • mentorim dhe përkrahje lidhur me kualifikimin profesional dhe atë të mëtejshëm, me përpjekjet për të gjetur punë dhe hapjen e një biznesi privat
  • këshillim punësimi dhe ndërmjetësim për fuqinë punëtore të kualifikuar që është kthyer apo për atë të diasporës
  • Përkrahje për t’u integruar në jetën e përditshme si dhe mundësinë për të folur me dikë për problemet që keni (këshillim psikosocial)
DIMAK-u i përkrah të dyja palët: njerëzit që janë kthyer nga jashtë. Por po ashtu edhe njerëzit që nuk janë larguar kurrë nga Kosova.

Ku duhet të lajmërohem pas kthimit? Si mund të kontaktoj qendrën? Pas kthimit në Kosovë ju duhet të lajmëroheni në
„Zyrën e Pranimit për Personat e Riatdhesuar“ në aeroport. Nëse kjo zyrë në aeroport është e mbyllur apo nëse jeni kthyer me autobus ose me makinë, informoni sa më shpejt që të jetë e mundur për ardhjen „Zyrën Komunale për Komunitete dhe Kthim“ në komunën tuaj.

Të dhënat tona kontaktuese i gjeni në Website.

Unë dëshiroj të hap biznesin tim privat. Si më ndihmon DIMAK-u?
Ne ju përkrahim që të përpiloni një plan-biznes. Përveç kësaj ju ofrojmë një këshillim individual lidhur me profesionin, mentorimin dhe trajnimin.

Nëpër trajnime ju mësoni si të hapni një biznes privat, si ta drejtoni atë me sukses, ta financoni dhe ta zhvilloni më tej. Të gjitha ofertat janë falas.