Në hollin e hotelit „Albanian Star“ në Durrës ndjehet pandemia e koronës, por megjithatë hoteli funksionon: mysafirët bisedojnë me njëri-tjetrin ndërkohë që të punësuarit kryejnë detyrat e tyre duke mbajtur maskën mbrojtëse për gojën dhe hundën. Në recepcion një punonjës i tregon një burri të ri softuerin kompjuterik të hotelit. Një mysafir u afrohet atyre për të dorëzuar çelësin e dhomës dhe për të pyetur lidhur me ekskursionet që mund të bëhen rreth e përqark qytetit detar. Burri i ri i ofron miqësisht, me profesionalitet dhe çiltërsi mysafirit udhëzime të ndryshme. „Pak më parë ushtruam si të komunikojmë me klientët. Tani munda ta vë menjëherë në përdorim atë që mësova“, thotë Fabian Kodra. Ai është 23 vjeç dhe merr pjesë në një program trajnimi të GIZ-it, i cili zhvillohet edhe në kohën e pandemisë, por natyrisht duke marrë parasysh rreptësisht të gjitha rregullat e rëndësishme të higjienës.
Përmes Qendrës Gjermane të Informacionit për Migracion, Arsimim dhe Karrierë (Deutsches Informationszentrum für Migration, Ausbildung und Karriere: DIMAK) në Shqipëri GIZ-i u ofron të rinjve trajnime të ndryshme. Arsimimi praktik u lehtëson atyre qasjen në tregun e punës. Për katër javë pjesëmarrësit njihen për shembull me fushat e turizmit dhe gastronomisë. Ata presin mysafirët në hotel, rregullojnë krevatet nëpër dhoma ose shërbejnë në sallën e ngrënies - duke mësuar ndërkohë se si t’i përballojnë me përgjegjësi detyrat dhe të sillen me kompetencë e të gatshëm për ndihmë. Pas trajnimit ata marrin një certifikatë. Trajnimet janë pjesë e programit “Perspektiva Atdheu” që organizohet nga “Ministria Federale për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim” (Bundesministerium für wirtschaftliche Zusammenarbeit und Entwicklung: (BMZ). Trajnimet organizohen jo vetëm për personat që kthehen në atdhe, por edhe për njerëzit që jetojnë në Shqipëri dhe kërkojnë shanse të reja.