Skip to main content
Menyja

Me fuqi të reja për të filluar serish në Tiranë

Këshillimi përmes grupit të punës së DIMAK-ut qe i rëndësishëm për Anën.

Me fuqi të reja për të filluar serish në Tiranë

Unë quhem Ana dhe jam 29 vjeçe. Ndërkohë jam e punësuar në një callcenter në kryeqytetin e Shqipërisë, në Tiranë. Këtu kam mundësi të përdor njohuritë e mia gjuhësore, të cilat i kam përfituar jashtë Shqipërisë.

Por le t’i tregoj të gjitha me radhë: Kur isha 17 vjeçe, e lashë shkollën për t’u martuar. Pak kohë pasi u martova linda një djalë. Në atë kohë as që mund ta merrja me mend që dikur mund të kisha një punë të mirë.

Si një grua e re unë kisha mundësi vetëm të punoja me pagë shumë të ulët ose të mos punoja fare. Në atë kohë mbaja dhe shami koke, sepse besimi im është feja myslimane. Në Shqipëri ka qenë i ndaluar për një kohë të gjatë ushtrimi i një besimi fetar. Kjo gjë ndryshoi në vitin 1990, por megjithatë unë kisha vështirësi të gjeja punë, kur më shikonin me shami koke. Ndjehesha e përjashtuar. Përveç kësaj nuk kisha asnjë lloj kualifikimi.

Arratisja nga dhuna në martesë


Në këto kushte u largova në vitin 2015 bashkë me burrin dhe djalin tim në Gjermani. Mësuam gjuhën dhe djali hyri në shkollë. Kur na u refuzua kërkesa për azil u kthyem përsëri në Shqipëri. Në Shqipëri qëndruam gati një vit. Por gjendja jonë nuk kishte pasur asnjë përmirësim. Jeta ime u bë akoma më e vështirë, sepse burri më keqtrajtonte fizikisht dhe psiqikisht. Doja të largohesha prej tij, por kësaj gjëje ia dola mbanë vetëm 4 vjet më vonë. Në vitin 2019 bëra ndarjen.

Dëshpërimi gjatë pandemisë së koronës


Ndërkohë ne patëm provuar të jetojmë dhe të punojmë bashkë edhe në Spanjë. Por edhe këtu nuk patëm mundësi të rrimë. Në vitin 2020 unë së bashku me djalin u ktheva në Shqipëri. Por për shkak të pandemisë së koronës, gjendja jonë ekonomike u përkeqësua më shumë. Çdo gjë u bë e padurueshme. Shkova përsëri në Spanjë, tek motra ime, që jeton atje. Por edhe atje nuk arrita të gjej punë të bollshme. Për këtë arsye, bashkë me djalin shkova në Gjermani. Në gjithë këto vite pata arritur gjithmonë përmes kursesh të përmirësoja më tej njohuritë gjuhësore. Ndoqa edhe kurse kompjuteri. Kisha dëshirë të mësoja. Në Gjermani ndenjëm vetëm pak muaj, sepse kërkesa për azil m’u refuzua. Atë ditë që mora përgjigjen negative kam qarë gjithë ditën.

Qysh nga Gjermania pata kontakt me DIMAK-un


Qysh kur isha në Gjermani mora përmes organizatave humanitare informacione për “Qendrën Gjermane të Informacionit për Migracion, Arsim Profesional dhe Karrierë“ (Deutsches Informationszentrum für Migration, Ausbildung und Karriere, DIMAK). Përmes këshillimit për kthim m’u mundësua një kontakt online me DIMAK-un. Grupi i punës më informoi nga Shqipëria lidhur me përkrahjen e mundshme gjatë kthimit.

Ndihma gjatë fillimit të ri dhe kërkimit të punës


Kur në dhjetor të vitit 2021 u ktheva në Tiranë bashkë me djalin, mora në telefon DIMAK-un. Grupi i punës më priti miqësisht dhe më ndërmjetësoi tek organizata humanitare „Different and Equal“ (në shqip: „Të ndryshëm, por të barabartë“). Atje përfitova përkrahje lidhur me gjetjen e një banesa dhe për përkthimin e dokumenteve të rëndësishme, siç ishin dokumentet e ndarjes. Edhe përkrahja psikosociale përmes një psikologu qe e rëndësishme, që të mund të kisha përsëri një stabilitet emocional. Djali im ka hyrë përsëri në shkollë dhe mëson shqip. Pas këshillimit profesional të DIMAK-ut dhe organizatës „Different and Equal“ gjeta më pas në janar të vitit 2022 një vend pune në një callcenter. Kam vendosur përsëri kontaktin e humbur prej disa vitesh me prindërit. Tani jam e mbushur me besim. Dhe nëse jeta më ka mësuar diçka është pikërisht fakti që gratë janë vërtet shumë të forta. S’ka rëndësi se çfarë ndodh, ne përsëri nuk dorëzohemi.

07/2022

Ky tekst është i shkruar në një gjuhë të thjeshtë. Në këtë mënyrë është e sigurtë, që ai është i kuptueshëm mirë për të gjithë të interesuarit.

Gratë janë vërtet të forta. S’ka rëndësi se çfarë ndodh, ne nuk dorëzohemi kurrë.
Ana

Më shumë Përvojat