Kush dëshiron të drejtojë me sukses një firmë private, ka nevojë për know-how të karakterit ekonomik. Një kurs që ofrohet nga „Fondacioni i Arkës së Kursimeve“ tregon se si mund të përfitohen këto njohuri në një mjedis loje.
Atmosfera është e çlirët dhe në të njëjtën kohë e përqendruar – njëlloj si gjatë një loje ku të gjithë marrin pjesë me dëshirë dhe duan të fitojnë. Djemtë e rinj kanë mësuar gjatë „Micro Business Game“ shumë gjëra, të cilat duhet t’i dijë dikush që do të zhvillojë një aktivitet ekonomik privat: Cilat janë arsyet për suksesin dhe vështirësitë e mundshme të firmave të vogla private? Si bëhet përllogaritja e shpenzimeve dhe e të ardhurave? Si mund të gjendet një bankë e përshtatshme? Si mund të bëhet përkujdesja e klienteve dhe klientëve? Si mund të reagohet karshi ndryshimeve që pëson tregu?
Këto tema trajtohen në mënyrë jo të mërzitshme në kurs, por janë të konceptuara si lojë në kuptimin e vërtetë të fjalës. Duke qenë se trajnimi zhvillohet në shtator, pra akoma para vendosjes së kufizimeve të reja për shkak të pandemisë së koronës, ai është i mundur të realizohet si një takim real me pjesëmarrje fizike. Në dhomën e seminarit në qendër të Manheimit (Mannheim) pjesëmarrësit janë ndarë në grupe pune. Çdo grup pune drejton një shitore të vogël fiktive për lëngje frutash. Përpara tyre personat që janë duke u përgatitur për të hapur një biznes privat kanë një fushë loje të madhe me portokalla të qëruar. Mbi këtë fushë loje ata lëvizin nga njëra anë në tjetrën paratë që përdorin në lojë. Ata diskutojnë se sa kushtojnë frutat. Cilat janë shpenzimet që do të kenë për rrymë elektrike dhe për taksa? Si bëhet përllogaritja e çmimit përfundimtar për lëngun e portokallit? Kush tregohet veçanërisht i shkathët gjatë lojës, e fiton atë. Por edhe të tjerët nuk humbasin. Edhe pse ata që humbasin lojën në fund të saj kanë më pak para në arkë, përsëri kanë fituar më shumë njohuri.