Skip to main content
Menyja

Të mos jesh vetëm pas kthimit

Të planifikojmë së bashku rrugën e mëtejshme: Bisedë këshilluese pranë DIMAK-ut në Kosovë.

Kur kosovaret dhe kosovarët kthehen nga Gjermania ose nga vendet e tjera në atdheun e tyre, ata përballen me sfida të mëdha. Këshilltaret dhe këshilltarët e Qendrës Gjermane të Informacionit për Migracion, Aftësim Profesional dhe Karrierë (Deutsche Informationszentrum für Migration, Ausbildung und Karriere, DIMAK) në Prishtinë i shoqërojnë ata përgjatë një riintegrimi të qëndrueshëm dhe i përkrahin ta gjejnë veten përsëri në jetën e përditshme. Këshillimet dhe ofertat lokale i përkasin programit „Perspektiva Atdheu“, i cili zbatohet nga „Shoqata Gjermane për Bashkëpunim Ndërkombëtar” (Deutsche Gesellschaft für Internationale Zusammenarbeit, GIZ) me porosi të „Ministrisë Federale Gjermane për Bashkëpunim Ndërkombëtar dhe Zhvillim“ (Bundesministerium für wirtschaftliche Zusammenarbeit und Entwicklung, BMZ).

Në fillim të një procesi këshillues bëhet fjalë për informacionet plotësuese lidhur me personin që vjen për t’u këshilluar, për profilin dhe qëllimet e tij. Çfarë pune dëshiron të bëjë ai në Kosovë? Në bisedën e parë grupi i punës së DIMAK-ut krijon një ide të përgjithshme se për çfarë informacionesh dhe për çfarë përkrahjeje kanë nevojë personat e kthyer. Sipas nevojave individuale ata i ndërmjetësojnë personat e kthyer në institucionet e tjera me të cilat bashkëpunojnë.

Shkëmbim i rregullt lidhur me përparimet e bëra

Grupi i punës përbëhet nga një këshilltare, tre këshilltarë dhe një koordinator. Ata janë gjithmonë në dispozicion për problemet që kanë personat e kthyer por edhe për ato të popullsisë vendase. Në vijim të procesit këshillues grupi i punës informohet rregullisht lidhur me përparimet e bëra nga personat që janë në këshillim dhe së bashku me ta bisedojnë se si do të vazhdojnë më tej.

Këshilltari Granit Brajshori shpjegon që ofertat e DIMAK-ut mund të klasifikohen në katër fusha: Përkrahja për punësim dhe këshillimi në aspektin profesional, migracioni i ligjshëm, riintegrimi dhe së fundi përkrahja psikosociale. Çdo person i kthyer mund të përfitojë nga shërbimet e DIMAK-ut. Të gjitha ofertat janë falas. „Mua më motivon angazhimi i njerëzve që vijnë tek ne“, thotë Brajshori. „Grupi i punës dhe unë mund të japim kontributin tonë, që personat e kthyer të përmbushin synimet që kanë dhe të integrohen rishtas në mënyrë të qëndrueshme në Kosovë.“

Mua më motivon angazhimi i njerëzve që vijnë tek ne.
Granit Brajshori