Unë jam Majlinda dhe jam e bindur, që çdo njeri lind me një talent të caktuar. Talenti im është pasioni për profesionin e parukieres. Qysh kur isha fëmijë, në moshën 7 ose 8 vjeçare, unë i rregulloja flokët njerëzve që banonin afër nesh. Përndryshe në familjen tonë nuk ka parukiere ose parukierë. Ishte babai që e kuptoi talentin tim. Ai më mundësoi që gjatë kohës së shkollës të mund të ndiqja një kurs privat për parukiere.
Unë jam rritur në qytetin detar të Durrësit. Pasi mbarova shkollën pata mundësi të punoja në një sallon parukerie. Por paga për punën që bëja ishte shumë e vogël, pothuajse qesharake. Brenda vetes isha e bindur që kisha lindur për këtë profesion. Por familja ime nuk kishte para që të mund të hapja një sallon privat parukerie.