Skip to main content
Menyja

Kosovë: Të punosh si rrobaqepëse e vetëpunësuar

Afërdita mori nga DIMAK-u ndër të tjera një makinë qepëse profesionale.

Kosovë: Të punosh si rrobaqepëse e vetëpunësuar

Afërdita ka zbuluar pasionin e saj për të qepur. Falë përkrahjes së DIMAK-ut ajo lëvron me sukses një rrobaqepësi të vetën.

Unë jam Afërdita nga Kosova. Jam 47 vjeçare dhe punoj si rrobaqepëse e vetëpunësuar. Viti 2017 qe një kthesë në jetën time. Kur isha duke kërkuar punë, një shoqe më tregoi për “Qendrën Gjermane të Informacionit për Migrim, Aftësim Profesional dhe Karrierë (Deutsche Informationszentrum für Migration, Ausbildung und Karriere, DIMAK). Kështu mësova lidhur me trajnimin për ato/ata që duan të bëhen rrobaqepëse/rrobaqepës.

Trajnimi u drejtohet njerëzve, të cilët duan të vetëpunësohen duke prerë e duke qepur. Ai organizohet nga NGO (organizata joqeveritare) „Nëna Terezë“ dhe DIMAK-u. Unë mora pjesë në këtë trajnim, megjithëse nuk dija fare të qepja. Thjesht doja të mësoja diçka të re – dhe kështu nisi aventura ime profesionale.

Afërdita gjatë punës në rrobaqepësinë e saj.

Rruga ime për t’u vetëpunësuar si rrobaqepëse

Qepja më solli kaq gëzim më pas, saqë unë vërtet doja ta ktheja në profesionin tim. Ëndrra ime: të kisha një rrobaqepësi timen. U mendova, si t’ia dilja mbanë kësaj gjëje pa pasur para për pajisjet. Por pikërisht këtu donte të më përkrahte DIMAK-u.

Përkrahja ishte shumë e gjerë. Grupi këshillues i DIMAK-ut më shoqëroi qysh në fillim. Fillimisht ne zhvilluam së bashku idenë e biznesit për firmën time. Unë mora pjesë gjithashtu në disa kualifikime për të vetëpunësuar, për shembull në një trajnim për hapjen e biznesit privat. Aty mëson se çfarë duhet të dish si biznesmene/biznesmen.

Përveç kësaj, nga DIMAK-u përfitova pajisjet që më nevojiteshin për punën time: një makinë qepëse profesionale dhe një hekur. Falë të gjithë ndihmës – këshillimit, përkrahjes lidhur me konceptin e biznesit, trajnimeve dhe pajisjeve – munda të hap rrobaqepësinë time.

Afërdita po vesh një manekin të vitrinës.

T’u mësosh të tjerëve rrobaqepësinë

Qysh prej 5 vitesh unë kam rrobaqepësinë time „Afërdita“. Një vit pas hapjes mora të tjera makina qepëse nga komuna ku banoj. Ndërkohë biznesi im po ecën vërtet mirë. Veçanërisht në verë kam shumë porosi. Shpesh duhet të punoj deri në mesnatë, që t’i përfundoj në kohë veshjet për klientet/klientët e mia / e mi. Momentalisht punoj vetëm, por kjo gjë do të ndryshojë.

Kush ka interes për të qepur, është i mirëseardhur tek unë. Unë ofroj një vend praktike falas, sepse kam dëshirë që përvojën time dhe kompetencat e mia t’i ndaj me të tjerët. Unë i përkrah shumë gratë e talentuara: nëse ato nuk kanë mundësi për të blerë një makinë qepëse ose nuk janë të punësuara, atëherë mund të mësojnë nga unë si të presin dhe të qepin. Dhe gratë që i qepin veshjet në shtëpi, mund t’i ekspozojnë dhe t’i shesin ato në rrobaqepësinë time.

Botuar më: 07/2023

Ky tekst është shkruar në një gjuhë të thjeshtë. Kështu dëshirojmë të arrijmë që ai të jetë i kuptueshëm mirë për të gjithë të interesuarit.

Qysh prej 5 vjetësh kam rrobaqepësinë time. Ndërkohë biznesi im po ecën vërtet mirë.
Aferdita

Më shumë Përvojat