Nighat Aziz është këshilltare pranë „Qendrës Këshilluese Gjermano-Pakistaneze për Ndërmjetësimin e Punësimit dhe për Riintegracionin” (Pakistanisch-Deutsches Beratungszentrum für Jobvermittlung und Reintegration, PGFRC) dhe është personi kryesor përgjegjës për gratë dhe njerëzit e lënë pas dore nga ana sociale. Së bashku me organizatat partnere të qendrës ajo kujdeset për nevojat e veçanta të tyre.
Gruaja, të cilën Nighat Aziz e ka përkrahur tani kohët e fundit, kishte jetuar më shumë se 20 vjet bashkë me familjen e saj jashtë vendit. „Por për shkak të pandemisë së koronës burri i saj humbi punën dhe familja papritur mbeti pa të ardhura.” Bashkë me të tre fëmijët e saj ajo u kthye në Pakistan dhe iu drejtua PGFRC-së. Aziz, e cila këshillonte atje kryesisht gratë dhe njerëzit e lënë pas dore nga ana sociale, e përkrahu këtë grua që të mëkëmbej sërish në Pakistan.
Ajo e ndërmjetësoi gruan që u kthye pranë organizatave, të cilat ndër të tjera mundësojnë edhe përkrahje psikosociale. Pranë PGFRC-së gruaja në fjalë mësoi si të shkruajë një CV dhe të marrë pjesë me sukses në bisedat aplikuese për punë. Përveç kësaj përmes Hashoo Foundation ajo arriti të marrë pjesë në një kualifikim për hapjen e një biznesi.
Përkrahja e grave gjatë një fillimi të ri
Përkrahja e grave gjatë një fillimi të ri
Pavarësia si një sfidë e madhe
„Arsimi dhe shkollimi profesional janë vendimtarë, për t’u integruar përsëri në shoqërinë pakistaneze pas kthimit në këtë vend“, thotë Aziz. Përpara se të bëhej këshilltare pranë PGFRC-së ajo ka punuar për 15 vjet me radhë në fushën e zhvillimit të personelit dhe këshillimit për karrierën. Përveç kësaj në një spital të madh në Islamabad ajo futi rregullat kundër ngacmimeve seksuale dhe kualifikoi më shumë se 3.000 punonjëse dhe punonjës lidhur me këtë temë. Ajo e di që për gratë në Pakistan është një sfidë e madhe të jenë të pavarura shoqërisht dhe ekonomikisht.
Sipas përvojës që ka grumbulluar Aziz, femrat që kthehen kanë një nevojë të veçantë për përkrahje, para së gjithash në fushën e shëndetit shpirtëror. Gratë fillimisht duhet të përtypin brenda vetes përjetimet e tyre, shprehet këshilltarja. Shumë prej tyre kanë pasur vështirësi për shembull të ambientohen në Gjermani. Kjo ndjesi mund të jetë kaq shtypëse, sa gratë arrijnë të marrin vendime drastike. “Në një rast për shembull, një grua kishte bërë kërkesën për azil në Gjermani, vetëm për t’i shpëtuar dhunës në familje. Por jeta atje iu duk kaq e vështirë, sa vendosi të kthehet përsëri tek i shoqi në Pakistan.”
Organizimi i kthimit dhe riintegrimi janë gjithashtu sfida të mëdha për gratë. Për këtë arsye Aziz dhe kolegët e saj përqendrohen tek nevojat specifike dhe kërkesat e tyre. “Ne bëjmë oferta efektive në mënyrë që gratë që kthehen dhe grupet e rrezikuara të mund të integrohen përsëri mirë në shoqërinë pakistaneze.”
Shkollimi profesional dhe këshillimi lidhur me hapjen e një biznesi privat
PGFRC bashkëpunon me organizata të shoqërisë civile dhe institucione të tjerë, në mënyrë që t’u ofrojë grave oferta të përshtatshme. Ndër partnerët e saj janë përveç Hashoo Foundation edhe Mojaz Foundation, i cili i përkrah gratë për të bërë një shkollim profesional apo një kualifikim të mëtejshëm.
Përveç kësaj qendra këshilluese i ndërmjetëson gratë e kthyera në
All Pakistan Women's Association (APWA), e cila në punën e saj përqendrohet në fushat e shëndetësisë, arsimit, në fushën e të drejtave të grave si dhe në luftën kundër ngacmimeve seksuale. Qendra gjithashtu bën ndërmjetësimin edhe pranë Women Chamber of Commerce & Industry (WCCI), e cila ofron praktika profesionale dhe ndihmë për gratë që dëshirojnë të hapin një firmë private. Përveç kësaj qendra këshilluese është në kontakt me organizatën Rozan, e cila mundëson trajnime dhe këshillime lidhur me shëndetin psikik dhe psikosocial.
Aziz është shumë e ndjeshme pozitivisht karshi grave që dëshirojnë të ndërtojnë një jetë të re në Pakistan. “Si një grua në marrëdhënie pune në Pakistan unë i kam përjetuar personalisht të gjitha vështirësitë me të cilat përballet çdo ditë një grua në shoqërinë tonë për shkak të ndryshimit gjinor”, thotë ajo. “Nëse kjo gjë është e vështirë edhe për gratë e privilegjuara, që e kanë mundësinë e arsimimit, për gratë pa përkrahje është shumë më e vështirë.” Aziz do ta ndryshojë këtë gjë, thotë ajo. Ky motiv i jep forcë në punën e saj për PGFRC-në dhe për gratë.
Botuar më: 03/2021