Unë quhem Waqas Hussain dhe jam 26 vjeç. Vij nga Butranwali, një qytet i vogël në provincën pakistaneze Punjab. Si djalë i ri jetoja së bashku me nënën dhe katër motrat e mia. Shkoja në shkollë dhe ndihmoja familjen time në punët e bujqësisë. Vëllai im i madh kishte shkuar në Greqi për të punuar dhe për të na dërguar para neve që ishim në shtëpi. Duke qenë se ne megjithatë kishim gjithmonë shumë pak për të jetuar, në vitin 2013 shkova në Turqi për të punuar. Një vit e kalova duke bërë punë të ndryshme, ndër të tjera në një treg peshku, pastaj shkova tek im vëlla në Greqi. Në vitin 2015 u largova prej andej për në Gjermani, sepse kërkoja një perspektivë të vërtetë për jetën time.
Në Gjermani gjeta punë në një restorant dhe njëkohësisht shpërndaja gazeta. Pastaj m’u sëmur nëna në Pakistan – kështu që në vitin 2019 vendosa të kthehem. Për fat disa shokë më këshilluan të kërkoj përkrahje për kthimin dhe riintegrimin. Vizitova një qendër këshilluese për kthim në Gjermani dhe atje më vunë në kontakt me “Qendrën Këshilluese Gjermano-Pakistaneze për Punësim dhe Riintegracion“ (Pakistanisch-Deutsches Beratungszentrums für Jobvermittlung und Reintegration, PGFRC) në Lahore.