Skip to main content
Menyja

Panairet virtuale për punësim – një format me të ardhme

Earli Shima (Shqipëri) und Marija Brankovic (Serbi) në një intervistë të përbashkët të dhënë online

Panairet virtuale për punësim – një format me të ardhme

Ta njohësh punëdhënësin e ardhshëm online – këtë gjë e mundësojnë panairet virtuale për punësim. Edhe „Qendrat Gjermane të informacionit për Emigracion, Aftësim Profesional dhe Karrierë„ (Deutsche Informationszentren für Migration, Ausbildung und Karriere, DIMAK) në Serbi dhe Shqipëri e shfrytëzojnë këtë format. Marija Brankovic nga DIMAK-u në Serbi dhe Earli Shima nga DIMAK-u në Shqipëri tregojnë në një intervistë të dhënë së bashku për përvojën e tyre lidhur me panairet virtuale për punësim, me sfidat dhe shanset e konceptit.

Pse panaire virtuale për punësim – ishte pandemia e koronës shkaku për këtë format?

Marija Brankovic: Pandemia ka ndryshuar mënyrën se si i rekrutojnë dhe i kualifikojnë firmat punonjëset dhe punonjësit e tyre. Kërkimi online i vendit të punës dhe komunikimi digjital me punëdhënësit po bëhen gjithmonë e më të rëndësishëm. Nga ana tjetër mundësia për një pjesëmarrje virtuale për grupin që synojmë të arrijmë ne është pak kërkuese, sepse në kushte normale personat që bëjnë pjesë në këtë grup shpesh ndjehen të pasigurtë.

Rendesia e një panairi virtual për punësim në Serbi.

Earli Shima: Bota përreth dhe mënyra jonë e jetesës po bëhen gjithmonë e më digjitale dhe kjo është arsyeja që në Shqipëri tashmë janë zhvilluar vitet e kaluara panaire virtuale. Formati nuk është një përgjigje direkte kundrejt pandemisë; por është më shumë një zhvillim i natyrshëm i tregut të punës dhe i krejt botës. Panairi u fokusua në riintegrimin dhe punësimin e personave të kthyer nga Gjermania dhe vendet e treta, por ju drejtua fuqishëm edhe popullsisë lokale.

Cilat janë avantazhet e një panairi virtual për pjesëmarrësit?

Earli Shima: Kjo mënyrë ka shumë avantazhe: nëse jeton në Veri të Shqipërisë, nuk është nevoja të udhëtosh në skajin tjetër të vendit për të gjetur punë. Pjesëmarrësit kishin mundësi të shfrytëzonin me qetësi platformën e ofruar për të marrë informacione, duke pasur mundësinë të lidheshin me punëdhënës potencialë në të gjithë Shqipërinë. Më parë punëkërkuesit si rregull shkonin në “Agjencinë e Punës” në qytetin e tyre dhe pyesnin atje për vende pune të përshtatshme. Ne ia kemi dalë mbanë të krijojmë një treg kombëtar, i cili është i prekshëm për këdo prej mjedisit ku jeton; kemi ofruar një rrjet social me lidhje të ndryshme, duke ndërtuar kësisoj ura mes punëkërkuesve dhe punëdhënësve nga e gjithë Shqipëria.

Marija Brankovic: Shumë pjesëmarrëse dhe pjesëmarrës në Serbi më parë nuk kishin as adresë elektronike as CV - kurse tani po. DIMAK-u bashkëpunonte me „Agjencinë e Punës NES“ dhe me organizatat lokale joqeveritare për të organizuar hotspot-e online në të gjithë Serbinë, përmes të cilave aktiviste të reja dhe aktivistë të rinj përkrahnin njerëzit në vend, të cilët përndryshe nuk kishin mundësi të merrnin pjesë në një format të tillë digjital. Grupe pune mobile në shumë qytete dhe fshatra u mundësonin qytetareve dhe qytetarëve hyrjen në platformë dhe i udhëhiqnin ata në mjedisin virtual. Në këtë mënyrë grupe të margjinalizuara arrinin të përfitonin shanse më të mira në tregun e punës. Falë kësaj iniciative morën pjesë në panair 136 persona nga grupe të tilla të skajshme, ndër të cilët 43 ishin persona të kthyer.

Si e vlerësoni ju suksesin e panaireve?

Earli Shima: Ne jemi shumë të kënaqur, panairi u rezervua komplet. Në platformën virtuale të ndërtuar prej nesh pati 5.500 pjesëmarrëse dhe pjesëmarrës, që shkëmbyen informacione me 100 firma. Ndër personat pjesëmarrës pati afërsisht 500 persona të kthyer, 203 prej tyre vinin nga Gjermania. Në total u ofruan 2.974 vende të lira pune nga firmat e përfaqësuara. Më shumë se gjysma e tyre ndërkohë nuk janë më të lira.

Marija Brankovic: Edhe tek ne kapacitetet u shfrytëzuan plotësisht. Ne patëm 7.500 pjesëmarrës, ndër të cilët 1.599 qenë persona të kthyer. Pati të interesuar nga e gjithë Serbia – dhe suksesi qe i dukshëm. Në Leskovac, në jug të vendit, direkt pas panairit u punësuan 70 persona, prej të cilëve 19 ishin persona të kthyer. Mediat dëshmuan një interes të madh dhe në këtë mënyrë ju kushtua vëmendje e madhe edhe “Agjencisë Kombëtare të Punës”.

Çfarë u prit veçanërisht mirë nga publiku dhe çfarë do të mbetet e rëndësishme edhe për të ardhmen?

Marija Brankovic: Para së gjithash u pritën mirë vebinaret që trajtuan paaftësinë për punësim dhe grupet e skajshme sociale, të cilat u zhvilluan paralelisht përgjatë programit kryesor. Ekspertet dhe ekspertët informuan për tema specifike. Një prej tyre trajtoi një parashtrim individual kundrejt punëdhënësit. Ky parashtrim titullohej „Si të mbijetoj gjatë një interviste për aplikim?“ Vebinari u mbajt nga një ekspert në fushën e komunikimit. Një ekspert për aspektin ligjor të punës mbajti një ligjëratë me temën: „Cilat janë të drejtat e mia në momentin që nënshkruaj një kontratë pune“? Pjesëmarrësit kishin mundësinë që gjatë panairit t’ua shtronin pyetjet e tyre specialistëve, të cilët më pas u përgjigjeshin këtyre pyetjeve gjatë vebinareve. Sipas mendimit tim ishte diçka pozitive që faqja elektronike e panairit mund të vizitohej edhe pas një muaji. Në këtë mënyrë, personat që e patën humbur shansin për të marrë pjesë, mund t’i ndiqnin vebinaret edhe më pas. Përveç kësaj agjencia për punë dëshiron ta zgjerojë konceptin dhe në të ardhmen, të organizojë më shumë panaire virtuale punësimi në rrafsh lokal dhe të decentralizuar.

Earli Shima: Edhe tek ne platforma mund të vizitohej online për dy javë rresht pas panairit, bashkë me informacionet përkatëse dhe vendet e lira të punës. Shumë njerëz e vlerësuan që aktiviteti u ofrua falas dhe nuk u duhej të udhëtonin diku për të marrë pjesë. Edhe firmat pjesëmarrëse përfituan shumë nga kjo masë, sepse për shkak të karakterit digjital të panairit të punësimit ata nuk patën shpenzime për qiranë e pozicionimit me stenda, materialet dhe logjistikën. Kështu që ky format mbetet i rëndësishëm edhe për vitet e ardhshme.

Botuar më: 08/2021

Kërkimi online i vendit të punës dhe komunikimi digjital me punëdhënësit po bëhen gjithmonë e më të rëndësishëm.
Marija Brankovic

Më shumë Përvojat