Skip to main content
Menyja

Me fuqi të reja për hapin e mëtejshëm

Ky panair ia ka forcuar Ivana Obeng-ut idenë që kishte për t‘u punësuar.

Me fuqi të reja për hapin e mëtejshëm

Është korrik dhe një e martë e nxehtë. Para një hoteli në qendër të kryeqytetit ganez Accra rrinë në këmbë të rinj dhe të reja që presin për të hyrë brenda. Ata janë veshur e rregulluar dhe bisedojnë të emocionuar me njëri-tjetrin, ndërkohë që presin në radhë. Kanë kapërcyer ndërkohë me sukses pengesën e parë për t‘u integruar në tregun ganez të punës: shumë prej tyre kanë përfunduar para pak kohësh një arsimim profesional ose një shkollë të lartë. Ata shpresojnë që të mund të bëjnë hapin tjetër pikërisht në panairin ganez për punësim.

Ivana Obeng, e cila sapo ka përfunduar studimet, është 28 vjeç. Ajo është e gëzuar që ka arritur të përfitojë një nga vendet aq të lakmuara në panair. „Të gjithë ata që kanë mbaruar universitetin, dëshirojnë më pas të kenë një punë që paguhet mirë. Por fakt është që realiteti i ashpër në tregun ganez të punës nuk garanton për fat të keq një punësim për ata që kanë kryer një shkollë të lartë.“ Për këtë arsye Obeng është duke u menduar që të vetëpunësohet dhe ka ndërkohë edhe një ide për hapjen e një biznesi privat. Ajo shpreson që panairi ta orientojë më mirë në këtë drejtim.

Rreth 6.600 pjesëmarrës dhe 68 firma

Panairi për punësim është një vend shkëmbimesh dhe në rastin më të mirë fillimi i një bashkëpunimi profesional. Këtu njihen me njëri-tjetrin punëkërkuesit dhe punëdhënësit. „Qendra Gjermano-Ganeze për Punësim, Emigracion dhe Riintegracion“ (Das Ghanaisch-Deutsche Zentrum für Jobs, Migration und Reintegration, GGC) dhe „Ministria për Punësim dhe Marrëdhënie Pune“ (Das Ministerium für Beschäftigung und Arbeitsbeziehungen, MELR) kanë organizuar shumë aktivitete të këtij lloji së bashku. Panairi, ndër partnerët e të cilit është dhe delegacioni i „Ekonomisë Gjermane në Ganë“ (Deutsche Wirtschaft in Ghana, AHK Gana) këtë vit zhvillohet si një aktivitet hibrid për shkak të pandemisë. Një pjesë e programit ofrohet në formën e workshop-eve online. Më shumë se 6600 persona pjesëmarrës takojnë përfaqësuese dhe përfaqësues nga 68 firma.

 

Panairi ofron kushte të mira për një takim të parë joformal. Referente dhe referentë me përvojë ofrojnë përveç kësaj edhe workshop-e duke ndërmjetësuar në këtë mënyrë njohuri për fazën e parë të aplikimit si dhe për muajt e parë pas punësimit. Kështu p.sh. është fjala se si duhet përpiluar një CV ose si duhen parapërgatitur bisedat për aplikim. Përveç këshillimit të përgjithshëm lidhur me profesionin ofrohet dhe një hyrje në programet që kanë të bëjnë me administrimin e financave për jetën e përditshme në firmat private si dhe një trajnim për planet e marketingut. Kush ka ndërkohë njohuri në fushat e mësipërme, mund t’i thellojë aftësitë e tij të biznesit dhe ato digjitale nëpër kurse speciale.

Benjamin Adorsu-t sapo i ka mbaruar kontrata e punës – ai kërkon një punë të re në panair.

Ide të reja dhe një vështrim kritik lidhur me CV-në

Disa pjesëmarrësve u lindin në panair ide krejt të reja: „Më ka mbaruar kontrata si shofer piruni në një firmë ndërtimi“, tregon Benjamin Adorsu. „Në mediat sociale pashë lajmin për këtë panair dhe vendosa që të vij këtu e të shikoj për një punë të re. Por pasi vizitova një workshop për hapjen e një biznesi privat, i ndryshova planet e mia: Kam më shumë dëshirë të hap një aktivitet privat.“
Në vijim të panairit Adorsu do ta shfrytëzojë kohën të lidhë kontakte me aktoret dhe aktorët e sektorit prodhues ganez. Atij i intereson para së gjithash prodhimi i këpucëve.

Rhody Asomani, e cila ka kryer universitetin dhe për momentin është duke bërë një praktikë si programuese për faqet web në një firmë IT në Accra, e ka realizuar tashmë atë çka priste nga panairi. „Unë doja patjetër që të verifikohej CV-ja ime, sepse për momentin me gjithë aplikimet që bëj, pothuajse nuk marr përgjigje nga punëdhënësit e mundshëm. Sot ekspertet dhe ekspertët më bënë vërejtje për dobësi të caktuara në CV-në time. Këto vërejtje më ndihmuan shumë. Mësova se çfarë hollësish janë të rëndësishme për specialistët e kuadrit.“  Ëndrra e Asomani është të punojë në një firmë IT me aktivitet multinacional dhe dikur të hapë një firmë private.

Rhody Asomani ka dëshirë të punojë në një ndërmarrje multinacionale për IT.

Oferta konkrete punësimi për afërsisht 350 të rinj dhe të reja

Zëvendësministri ganez i punës Bright Wireko-Brobby lavdëron në fjalën e tij përshëndetëse grupin e punës së GGC-së për organizimin e mirë të panairit. Drejtuesi i GGC-së Benjamin Woesten bën një përmbledhje pozitive në fund të panairit. Rreth 350 pjesëmarrës patën mundësinë të marrin madje një ofertë konkrete për një vend pune. Ata do të fillojnë së shpejti karrierën e tyre profesionale në kontabilitet, në sektorin e shërbimeve, në atë të IT-së ose të shpërndarjes.

Ivana Obeng para së gjithash ka dalë e motivuar nga panairi: Bidesat e bëra aty ia forcuan akoma më shumë idenë për t’u vetëpunësuar dhe për të filluar aktivitetin e saj në degën e industrisë kozmetike lokale: „Unë dua të përpunoj gjalpin shea si për tregun ganez, ashtu edhe për atë ndërkombëtar. Sot arrita të marr me vete njohuri me vlerë nga njerëz me shumë përvojë.“

Gjendja: 08/2021

Vizita në panair më ndihmoi shumë. Mësova se çfarë hollësish janë të rëndësishme për specialistët e kuadrit.
Rhody Asomani

Më shumë Përvojat