Skip to main content
Menyja

"Ne i përkrahim fëmijët që të dinë të përballojnë ndryshimet"

Fëmijët kanë nevojë për hapësirë që të zhvillohen. / Copyright: Adobestock

"Ne i përkrahim fëmijët që të dinë të përballojnë ndryshimet"

Jo vetëm të rriturit kthehen pas një kohe të gjatë nga jashtë në Kosovë. Për familjet dhe veçanërisht për fëmijët një kthim i tillë shpesh është i lidhur me sfida të mëdha. „Qendra Gjermane e Informacionit për Migrim, Aftësim Profesional dhe Karrierë (DIMAK) në Prishtinë ofron përkrahje për të gjithë. Ramadan Islami, kordinator pranë DIMAK-ut tregon për këtë gjë në intervistën e tij.

Zoti Islami, çfarë ngarkesash sjell me vete emigracioni për familjet dhe veçanërisht për fëmijët?

Emigracioni është një proces i vështirë për të gjithë pjesëtarët e familjes. Shumë njerëz, të cilët vendosin të emigrojnë, dëshirojnë të kenë një jetë më të mirë. Por dëshirat dhe pritshmëritë, të cilat jeta duhet t’i ndryshojë përmes emigracionit, nuk plotësohen gjithmonë. Përjetimi i procesit të emigracionit, por duke mos arritur një cilësi më të mire jetese dhe duke qenë i detyruar për t’u kthyer përsëri në vendin e origjinës – e gjithë kjo situatë mund ë jetë një ngarkesë shumë e madhe psikike për njerëzit. Në raste të tilla në familje përhapet shpesh ndjesia e dështimit. Në vijim pasojnë konflikte midis pjesëtarëve të familjes, veçanërisht atëherë kur paratë e kursyera janë përdorur për të mundësuar emigracionin.

Si e përjetojnë këtë gjë djemtë dhe vajzat?

Fjala që luan një rol të madh për emigracionin është “ndryshimi“. Veçanërisht fëmijët ndodhen përpara ndryshimeve të vështira, u duhet të gjejnë shokë të rinj, të mësojnë një gjuhë të re dhe të orientohen në një mjedis dhe në një kulturë të re. Vështirësitë financiare dhe pakënaqësia në familje janë gjithashtu një ngarkesë e ndjeshme për anëtarët e vegjël të familjes.

Çfarë lloj ndihme është veçanërisht e rëndësishme për fëmijët, në rast se familjet e tyre vendosin të kthehen përsëri në vendin e tyre të origjinës?

Nevojat e fëmijëve janë të ndryshme dhe varen nga koha që ata kanë jetuar në emigracion. Nëse fëmijët kanë kaluar një pjesë të madhe të jetës së tyre në një vend tjetër, atëherë përshtatja në vendin e origjinës do të jetë e vështirë. Për këtë arsye është e rëndësishme që fëmijët të përkrahen për të përballuar ndryshimet dhe për t’u mësuar në mjedisin e ri pas kthimit: ata duhet të përshtaten me sistemin e ri shkollor ose të mësojnë shqip. Për të gjetur shokë të rinj ata duhet të njihen jo vetëm me fëmijë të tjerë që janë kthyer, por edhe me fëmijë të popullsisë lokale. Përkrahja e fëmijëve gjatë sistemimit në vendin e origjinës ndihmon që ata të ndjehen mirë nga ana psikike.

Në ç’drejtim duhet të bëjnë kujdes këshilltaret dhe këshilltarët kur është fjala për fëmijët?

Në rastin e fëmijëve është e vështirë të dallohen lloji i ngarkesave psikike, traumat, depresionet, ankthet, shenjat e keqtrajtimeve apo çdo lloj sjellje që ngjall dyshim. Qëllimi është që fëmija me probleme të një natyre të tillë të marrë sa më shpejt përkrahjen e përshtatshme nga specialistet apo specialistët. Është e rëndësishme gjithashtu të vërtetohet nëse fëmija ka nevojë për veshje, materiale shkollore ose përkrahje shtesë në shkollë. Në përgjithësi puna konsiston në faktin që tek fëmija të përkrahet zhvillimi dhe ripërshtatja në vendin e origjinës.

Çfarë konstelacionesh familjare keni përjetuar ju gjatë këshillimit që keni bërë?

Sipas përvojës sonë familjet largohen nga vendi i tyre së bashku. Nganjëherë emigron vetëm babai, ndërkohë që nëna me fëmijët qëndrojnë në vendin e origjinës. Në disa raste janë edhe fëmijët, veçanërisht djemtë e rinj që sapo kanë arritur moshën e punës, të cilët largohen nga vendi. Në raste të tilla ata largohen nga prindërit dhe motrat e vëllezërit e tyre. Në grupin e parë normalisht kthehet e gjithë familja përsëri në atdhe, por nganjëherë edhe vetëm nëna me fëmijët. Kjo do të thotë që pas kthimit nëna është i vetmi person orientues, ndërkohë që babai kujdeset për familjen në largësi. Varësisht prej faktit se sa gjatë rri babai larg familjes, mund të jetë e vështirë për fëmijët që të mos e kenë të pranishme figurën e babait, të mos e shohin atë rregullisht. Kurse nënat kanë ngarkesën që u duhet të kujdesen vetëm për fëmijët.

Si i përkrah DIMAK-u familjet dhe si u jep forcë fëmijëve në Kosovë? 

DIMAK-u u jep forcë familjeve dhe fëmijëve – si atyre që kthehen, po ashtu edhe atyre nga popullsia lokale –përmes informacioneve dhe këshillimeve në tre fusha. Së pari përmes përkrahjes psikosociale: para së gjithash personave të kthyer u jepet përkrahje përmes këshillimit psikologjik enkas për individë dhe familje.

Ne organizojmë kontaktin përmes personave që kanë nevojë për ndihmë dhe specialisteve e specialistëve përkatës. Përkrahja psikosociale mund të jetë si parandaluese ashtu edhe kurative. Parandaluese ajo është atëherë kur arrin të zvogëlojë rrezikun për zhvillimin e problemeve shëndetësore psikike. Kuruese ajo është atëherë kur bëhet fjalë për njerëz, të cilët kanë ndërkohë probleme psikosociale dhe e ndjejnë ngarkesën e tyre.

Dhe cilat janë fushat e tjera në të cilat ofrohet përkrahje?

Ripërfshirja dhe punësimi. DIMAK-u ofron këshillim për familje dhe për individë, të cilët kthehen. Ne i përkrahim ata në procesin e kthimit dhe pas mbërritjes së tyre në Kosovë. Ne ndërmjetësojmë kontakte lidhur me kërkimin e një banese, me kurset profesionale dhe ofrojmë gjithashtu informacione për sa i përket gjendjes ligjore dhe asaj shëndetësore. Përveç kësaj ne i përkrahim personat e kthyer dhe njerëzit nga popullsia lokale për të marrë vendime realiste lidhur me kualifikimin e tyre profesional dhe me punësimin, me qëllim që ata të gjejnë mundësi për një karrierë të përshtatshme. Ne u ndihmojmë njerëzve të përpilojnë një CV, të ushtrohen në procedurën e konkurrimit për një vend pune dhe të gjejnë kurse për një arsimim profesional. Kjo gjë është shpesh edhe për të rinjtë shumë e rëndësishme, në mënyrë që ata të kenë një perspektivë.

Gjendja: 03/2022

Më shumë Përvojat