Unë quhem Shakir. Jam 45 vjeç dhe vij nga Sarai Alamgir, një qytet i vogël në distriktin pakistanez Gujrat. Jam i martuar dhe kam 5 fëmijë. Më parë kam punuar në ndërtim dhe fitoja mirë. Por doja një jetë më të mirë për familjen time. Për këtë arsye në vitin 2015 shkova në Gjermani. Atje kalova 5 vjet dhe punoja në një fermë për ndërzimin e viçave. Por së fundi nuk munda të duroja dot më që jetoja i ndarë nga familja ime. Kështu që në vitin 2020 vendosa të kthehem në Pakistan.
Fillimisht shkova tek qendra këshilluese për kthim dhe deklarova që kisha nevojë për përkrahje në hapjen e një biznesi privat në Pakistan. Këshilltari për kthim më vendosi në kontakt përmes skype-it me grupin e punës së „Qendrës Këshilluese Gjermano-Pakistaneze për Punësim dhe Riintegrim“ (Pakistanisch-Deutsches Beratungszentrums für Jobvermittlung und Reintegration, PGFRC) në Lahore. Ne diskutuam idenë që kisha unë për hapjen e një shitoreje me mallra të ndryshme. Përveç ushqimeve unë doja të tregtoja edhe uniforma shkollore dhe artikuj kancelarikë. Këshilltaret dhe këshilltarët më vunë për këtë qëllim në dispozicion një listë me furnizuese dhe furnizues të mundshëm si dhe me objekte të përshtatshme që mund të merreshin me qira.